Rikthimi i
Joseph Beuys
1. Happenig. Fluxus. Joseph Beuys. Action art.
Në përvijimet analitike mbi origjinën e veprës artistike (artet pamore), Martin Heidegger shkruante se çështja e shqyrtimit mbi ngritjen e një vepre arti paraqet drejtëpërdrejtë sprovën për të depërtuar në thelbësinë e veprës. Vepra, krejt simbas përfytyrimeve të para, është një dalje a një ardhje, një nxjerrje a një kullim i veprimit të artistit. Por, vijon filozofi Heidegger, prejnga dhe prejsi është artisti ai çfarë është? Nga vepra, natyrisht. Përmes veprës, natyrisht. Krijuesi është origjina e veprës. Vepra është origjina e artistit.
Por, çfarë është Action art? Kush është artisti performativ Jozef Bojs?
Jacques Derrida, në një letër të gjatë dërguar mikut të vet japonez, profesorit Toshihiko Izutsu më 1985, merr mundin dhe përkushtimin t’ia spjegoj me një përkujdesje të veçantë premtimin e dhënë se çfarë është Dekonstruksioni(!). Derrida ia përkujton mikut se në takimin e fundit ata të dy kishin biseduar mbi domethënien e fjalës dekonstruktion dhe mundësinë e një përkthimi adekuat të kësaj fjale në japonishten. E, për t’iu shmangur konotacioneve negative, në mos edhe ndonjë keqkuptimi domethënës, i shkruan Derrida mikut Izutsu, do të dëshiroja që e gjithë çështja të shtrohet në një kontekst të asaj se: Çfarë nuk është Dekonstruksioni? Apo, ndryshe më drejtë; çfarë nuk do të duhej të ishte? Derrida i spjegon mikut se fjala „dekonstruktion“ bënë pjesë në korpusin e koncepteve metafizike të filozofisë së Oksidentit dhe kjo fjalë madje edhe në gjuhën frënge nuk kishte një dhe të vetmen domethënie.
Pra, çfarë nuk është arti performativ?
Arti performativ për piktorët sikur Lucian Freud, Marc Chagall, Marlene Dumas, Gerhard Richter, Neo Rauch, mbase nuk ishte tjetër përveçse një Symptomë e një epoke të caktuar. Ndërkaq për piktorët sikur Jackson Pollock, Salvador Dali, Andy Warhol, Anselm Kiefer, Jeff Koons, arti performativ ndoshta nuk ishte diçka më shumë se sa një ishull i izoluar i koncepcioneve radikale të një grupi krijuesish opozitar përballë drejtimeve e rrymave si ekspresionizmi abstrakt, Informel-i, Pop Art, Nouveau Realisme.
Ndërkohë, arti performativ, nga zëra kritikë të historianëve, filozofëve, shkrimtarëve e psikoanalitikëve vlerësohet jo vetëm në kuptimin e një symptome të një epoke të caktuar; as edhe si një ishull autonom i izoluar krijuesish opozitar; as edhe sikur një kundërkontratë shoqërore.
Simbas sociologut Niklas Luhmann, të gjitha artet paraqesin një mëvetësim të vetëdijshëm të artistit krijues brenda një procesi konfrontues midis versionesh të shumta të realitetit. Arti performativ nuk është proces diferencues në mes krijuesit, veprës dhe perceptuesit. Kjo është shenja dalluese e kësaj shprehjeje artistike. Artisti, thënë ndryshe, shkruan dhe vrojton në të njëjtën kohë identitetin e vet krijues; në thelbin e artit performativ roli vendimtar i tejkalohet relacionit artisti-vepra- publiku. Pezullimi i vijës ndarëse në mes krijuesit e publikut është kryerrshti i artit performativ.Vepra pezullohet nga ekspozimi në muze. Spontaniteti, mundësia për të improvizuar, vëmendja e elektrizuar e publikut janë elemente thelbësore të filozofisë së kompozicionit. Në një strukturim horizontal ndërfuten mjete paraqitëse të teatrit eksperimental, duke huazuar pantomimen, koreografinë, shfaqjen muzikore. E gjitha përvijon në kahë reale, në hapësirë reale, pa ndërmjetësim, e gjitha është një përthurimë idesh, materialesh, vetëdijësimesh, konceptesh mes artistit e publikut.
Një nga shënimet më të hershme të artit performativ e gjejmë tek krijuesi i arteve dhe teoricienti Allan Kaprow më 1958. Happening është koncepti i A. Kaprow për formën e re të artit në aksion; përtej konvencave tradicionale të krijimeve artistike. Paralel me këtë formë të re arti, shfaqet e zë të marrë formë e përmbajtje lëvizja Fluxus më 1960. Sikurse tek Happening, edhe tek Fluxus, shenjë veçuese është tendenca e reaksioneve spontane, larg metodikës krijuese, prirja për të përthekuar proceset në vijim e sipër me qëllim të ndërfutjes së publikut brenda ndodhisë artistike (fluxus festorum). Një vend të veçantë brenda artit performativ zënë aksionet e krijuesit gjerman Joseph Beuys; ai është i pranishëm brenda lëvizjes Happening dhe Fluxus. Beuys përfiton përvojë nga Flkuxus. Performimet në transekspozim gjatë paraqitjeve në lëvizjen Fluxus, Beuys i rimerr më pas duke iu dhuruar një lloj autonomie objektive. Një proces i vetëdijshëm i të fiksuarit të veprës në kohë e hapësirë.
Vepra e Jozef Bojsit është e motivuar nga pikëpamje folizofike mbi botën, mbi ekzistencën. Që në fazën fillestare të veprimtarisë krijuese Boijs gërsheton botëkuptime në një kontekst të gjerë social, psikologjik e filozofik. Është vlerësuar nga kritikët karakteri emblematik i veprave të Boijs thelbi i të cilave rimerr motive nga bota e kafshëve, të stilizuara deri në sfrocim, qoftë mjellma, drenjë, lepuj, dele, bletë duke iu dhuruar atyre një fill të brendshëm mitologjik dhe antropologjik. Boijs është i ndikuar në fillim të krijimtarisë nga filozofia antropomorfe e Rudolf Steiner.
Mbas një krize të thellë shpirtërore në vitet 1955 deri më 1958 Boijs përballet me elemente të reja të Njohjes. Ai i kundërvihet konceptit njëdimensional të shpjegimeve shkencore mbi jetën e botën përmes konceptit të zgjeruar të artit e të dijës në përgjithësi. Joseph Beuys nuk mbështet koncepte të verbëta irracionale dhe dorëzimin e pakusht përballë tyre. Përkundrazi ai kërkon, hulumton, mbështetet tek rrafshet e përvojës racionale në një relacion dhe koncepcion të gërshetuar të arketipeve dhe veprimeve njerëzore me qëllimin e riaktivizimit të shtresave të thella të së qenmes.
Në fund të viteve pesëdhjetë të shekullit të njëzet, sprovat të këtilla Boijs ende nuk ia dilte të realizonte me radikalizëm e t’i përkthente në një praktikë artistike. Posti i ligjëruesit në Akademinë e Arteve në Hamburg ia bënë të mundshme Boijsit kontaktet e drejtpërdrejta me rrethet e Arteve Fluxus dhe Happenig, të cilat inspiruan atë dhe sforcuan pikëpamjet personale dhe individuale mbi artin për botën dhe artin në botë. Sprova e Joseph Beuys për të shtrirë, zgjeruar, konceptin e Arteve dhe konceptin Boijsian mbi Plastikën Sociale, përmes lojës anarkiste, ndikon që ai të veçohet dhe të largohet nga lëvizja e Fluxusit duke e shëndrruar personen e tij në një nga vetmitarët më kontrovers të skenës së arteve në botë në mes të viteve 1970/1980.
Boijs nuk shqetësohet dhe nuk preokupohet me mendësinë e koncepteve tradicionale mbi artin dhe procesin e ngritjes së një vepre arti. Ai thoshte se objektet e tija do të duhej të perceptoheshin si lloj simulantësh përmbi transformimet e ideve dhe artit si të atillë. Objektet dhe instalacionet e tij, do të duhej zgjonin procese mendueshmërie përmbi ekzistencën e materialeve, përmbi format e të shprehurit. Punimet skulpturale , plastika sociale nënkuptonte për Boijs një proces të tërë përvijimi shoqëror. Joseph Beuys riktheht herë pas here në vetëdijen kolektive; atë nacionale dhe atë planetare. Kontributi i veçantë i Boijs: statusi i artit dhe veprës artistike në një koncept të avancuar si një urëzim mes humbellës së arritjeve marramendëse teknologjike dhe deficitit shpirtnor të shpikësve të saj.
2.
Kthimi i Joseph Beuys. Quadriennale në Düsseldorf. Në metropolën e artit, më 2006 , kishte zënë fill festivali i arteve të bukura. Atëbotë, dyshimet kishin qenë të mëdha- mund ta rikthente famën e dikurshme qyteti buzë Rajnës? Do t’ia dilte ky qytet që në çdo katër vjet të mbante në këmbë një program krejt të veçantë, të papërsëritshëm, i cili publikut do t’ mbetej në kujtesë? Të shtunën e dytë të Shtatorit 2010 bëhet hapja solemne e Kuadrienales për të dytën herë me radhë. Me një program impozant: nga Joseph Beuys tek Nam June Paik, prej Stephan Shore deri tek Katharina Sieverding dhe një pjesë e konsiderueshme e krijuesve bashkëkohor në skenën e arteve pamore. Këtu është përfshirë edhe një retrospektivë e arteve të viteve të tetëdhjetë sikurse disa nga emrat më premtues që aktualisht krijojnë dhe jetojnë brenda qytetit te Duesseldorf-it.
Joseph BEUYS në Quadriennale. Një hapësirë prej tre mijë metrash katror ishte përgaditë enkas dhe me një përkujdesje filigrane për të ekspozuar Veprën e J. Beuys-it (Jozef Boijs), artistit më domethënës gjerman, (pranë Günter Grassit), të shekullit të njëzet, në qytetin Düsseldorf, në shtator të vitit 2010. Një përgaditje e këtillë kishte zgjatë një vit me radhë. Nën regjinë e drejtoreshës se Muzeut Shtetëror të Nordrhein-Westfalen-it znj. Marion Ackermann, ishin ndërmarrë edhe biseda me karakter zyrtar, të shoqëruara nga një legjion expertësh, në qoftë se një ekspozitë e këtillë për Veprën e Beuys-it do të përmbyllej me sukses. Nëntë muze dhe një galeri kishin mbështetë projektin. Një përgaditje kaq e vëmendshme kish rezultuar me pirgun ndriques të Festivalit në qendër të të cilit ishte vepra e Joseph Beuys-it nën titullin “Parallelprozesse”,(“Procese paralele”); ashtu sikurse më së miri e meritonte një fenomen tashmë historik siç është figura poliedrike e këtij artisti.
Kthimi i Joseph BEUYS-it edhe përmes një filmi dokumentar në Berlinalen e 67-të.
Ishte ky filmi i vetëm dokumentar në këtë Berlinale. Kthimi i Bojsit ndërkaq nisë vite më parë me retrospektivën për veprën e tij në qytetin e Berlinit. Veçanërisht të rinjtë dukeshin shumë kureshtarë në vrojtimin dhe provën për të dekoduar mesazhet në veprën e Beuysit. “Burri me kapelë”,emri i tij i dytë për publikun e gjerë. Boijsi edhe mbas tridhjetë viteve mbas vdekjes mbetet artisti më i famshëm gjerman, mirëpo një kohë të gjatë vepra e tij sikur kish zënë të zbehet; mungonte diçka: pra, vet personi Joseph Beuys, ai i cili me energjine e tij komunikuese gjallëronte dimensionet e veprës, i bënte bashkë kundërthëniet dhe sqaronte pandalshëm mesazhet që ndryente ajo vepër. Këtë lloj mungese ka bërë përpjekje ta kompenzoj regjisori Andres Veiel me filmin me titull”BEUYS”. Shfaur në kino më 18. Maj 2017.
3.
Rithimi i Joseph Beuys më 2017 vie në qendër të vëmendjes së artdashësve përmes flmit dokumentar të regjisorit Andres Veiel, i njohur për publikun e gjerë me filmin dokumentar “Black Box BRD”, një film ky mbi vitet e terrorit të kuq në Republikën Federale. Filmi “BEUYS”është 107 minuta i gjatë. Në intervistat e regjisorit për media shpalohen fakte impresionuese mbi projektin: ishin përpunuar 400 orë material filmik, 300 orë material tonik, 20.000 deri 30.000 fotografi në një periudhë kohore prej tre vjetësh. Filmi dokumentar ka në qendër të vëmendjes jo veprën artistike, por vetë artistin Joseph Beuys.Në një nga intervistat që ka dhënë regjisori Andres Veiel në pyetjen se çfarë e bënë aktual Bojsin shprehet: Ai, qysh 30 vjet më parë kishte sensin të shtronte pyetjet e domosdoshme mbi të ardhmen e shoqërisë . Filmi i Andres Veiel është një homage mbi artistin e rebeluar. Simbas regjisorit, vepra e Bojsit i afrohet një lloj sugjestionimi magjik. Mbi filmin “Beuys” kanë shkruar Cicero, Screen Daily, Morgenweb, Südwestpresse etj. Për rëndësinë e materialeve dokumentare mbi figurën e Bojsit flet edhe një detaj. Regjisori A. Veiel shpalon se Arkivi Federal sikur edhe Mediat Publike nuk kishin qenë aq bujar gjatë kohës së përgaditjes së flimit. Për një minutë material filmik Arkivi Fedral kishte kërkuar der në 10.000 Euro. Një detaj ky pa dyshim i pakëndshëm, por që në anën tjetër flet qartë për peshën e artit dhe artistit Josph Beuys në kujtesën dhe kulturën gjermane.
Njohësit e Bojsit kanë nënvizuar kaherë se koncepti i tij mbi artin, një koncept ky për një art tjetër, gjithëpërfshirës, me dimensione të shtrira brenda të vepruarit të shoqërisë njerëzore, ky koncept pra, ia kishte mundësuar atij të shfaqej në skenë, në secilin rast, si një artist; secili akt i paraqitjes së tij shëndrrohej në aksion artistik. Pikëpamjet që mund të dilnin nga paraqitjet e atilla nëse ato kishin në vete diçka artistike apo jo nuk ishin me rëndësi. Me rëndësi ishte metamorfoza (të përshëndrruarit) e jetës në art. Një akt si i tillë në vete paraqiste vlerë. Joseph Beuys, megjithëatë, mbetet gjithnjë në truallin e artit të njëmendtë: ai është piktori dhe skulptori, spiranca e të cilit është e lidhun fort për truallin e traditës, dhe materalet e pazakonta me të cilat ai ngritë veprën e tij janë të mbushura me domethënie si rrallë ndonjë vepër arti të përbotshëm. Beuys-i vë theksin në karakterin “transformues” të artit . Ashtu sikurse ia ka dalë që pikëvështrimi ynë mbi materialet të cilat ai i vë në përpunim për veprën e tij, sikurse janë mjalta, shajaku, dhjami, gjaku, bakri, ai dëshironte që perspektiva e pikëvështrimit tonë mbi raportet jetësore të pësonte një përshëndrrim. Beuys ka besuar në fuqinë e artit për të ndryshuar pikëpamjet mbi botën. “Përmes njerëzve idetë fluturojnë tutje nëpër kohë e hapësirë, në vepra arti ndërkaq, ato ngrijnë dhe përfundimisht aty mbarojnë”, kishte thënë Beuys. “ Bota është e mbushun plot me mistere, e njeriu është zgjidhja për to”.
Në Quadriennale në Düsseldorf, Beuys ishte prezentuar me treqind vepra. Ishte një përzgjedhje e vizatimeve të tij, objekteve, pikturave plastike dhe relikte nga aktet e tij të aksionit në art. Ndër të tjera aty ishte edhe vepra e tij e famshme, Instalacioni në ambient “The pack” (“Llava). Ky instalacion përbëhet nga një minibus i rrëzbitun i markës “VW” nga dera e prapme e të cilit dalin 24 saja dimri mbi të cilat janë të lidhura me rrypa batanije shajaku, dhjam e lampa; vrojtuesi vihet atypëraty nën pushtetin e një pamjeje të papërsëritshme. Është një ndalje kohe. Një goditje prej hapësire. Një tronditje e dimensioneve reale të jetës.
Vizatime, objekte të përditshmërisë, pjesë të makinave, objekte të rënda bronzi, shajak e dhjam...universi i artistit të veçantë Joseph Beuys (1921-1986) ndryen një kompleksitet të parëndomtë. Ai është një shpirt inovativ, një artist gjenial i cili përmes materialeve klasike ia del të zgjeroj konceptin për artin.
Ballafaqimi me Bojsin është një përvojë e veçantë. Një artist me dhunti të shumta, ai kishte një prirje për të ngritur një vepër gjithëpërfshirëse. E gjithë jeta e tij dhe vepra e tij formësojnë një univers ku gjithçka do të provoj të gjej një ndërlidhje me tërësinë.
Ai është artisti, profesori në akademinë e arteve, predikuesi, shamani, aktivisti, themelues partie- Bojs hidhet me lehtësi nga një rol tek tjetri. E gjitha pra kishte një fill të përbashkët tek koncepti i tij “mbi artin gjithëpërfshirës” dhe në utopinë e kreativitetit: arti duhej të shtrihej në jetë dhe të ndreqte njerëzit. Sot ndërkaq, artistët janë të strukun brenda perceptimeve të specializura- rrallëkush ia mësynë ndonjë utopie të vocërr, janë të mendimit expertët e artit. Ndoshta vepra e Bojsit, shprehen expertët, ka përfituar një rrezatim të ri pikërisht për arsyen se sot jetojmë në një botë shpirtngushtë në të cilën materializmi dhe konsumi janë ngritë në vlera parësore. Apo, mbase vepra e Bojsit është e atillë siç do të thoshte teoricienti i artit, amerikani Ad Reinhard: “ Arti është diçka tepër serioze, me u marrë seriozisht me të”.
Joseph Beuys në ich-form. “Ne duhët ta kundrojmë formën e të menduarit njerëzor, pra formën e brendshme të të menduarit, si një shfaqje të parë për gjithçka tjetër që mëshirohet në këtë botë. Për këtë arsye unë jam i shtyrë ta them edhe njëherë, se mendimi i njeriut në vete është një skulpturë, dhe thelbi i çështjes është në qoftë se ky mendim do të përfitoj një formë, me qëllimin e fundit që ai mendim, ajo energji kristaline, të shfaqet edhe në botën materiale”. (...)”Atëherë pra unë po ua them si. Unë nuk e shpallë një gjë për të kryer, porse unë jam në pritje deri sa gjësendi të lajmërohet dhe të thot: Unë jam i kryer...Pra, unë provoj ta jetësoj atë çfarë intencioni vet dëshiron ta përjetësoj...Gjësendi pikësëpari duhet të lajmërohet-po nuk u shfaq ai vet, atëherë unë nuk marr mundin ta vizatoj...”(...) “Arti është një pushtet i cili do ta shemb të izoluarit e njeriut dhe do të ndriçoj të vërtetën e ndërlidhjes së të tërësishmes. Prej fundit të greminës, atje ku njeriu ka rënë dhe ku i janë prerë të gjitha fillet shpirtërore, arti është ai që duhet dhe që mundet ta ringrisë njeriun.”
Ad Reinhardt do të thoshte :”Arti është diçka tepër serioze me u marrë seriozisht me të.Arti është art. Gjithçka tjetër është gjithçka tjetër.” Arti më tepër është diçka që nuk është art. Arti mbase është një lloj (auto)dekonstruksioni. Edhe artet performative, në sprovën e të definuarit i nënshtrohen procesit dekonstruiv.
(...)Jacques Derrida vijon(te) t’i shkruaj mikut japonez se krejt në kuptimin skematik vështirësia për të definuar fjalën “deconstruction” qëndron në faktin se në momentin e përkthimit, atypëraty, të gjitha predikatet, e gjithë domethënia leksikore, konceptuale, bile edhe vet kapërthimet sintaksore, direkt apo indirket zënë të dekonstruohen.
Avni Alija
Botuar në:
SYMBOL
Revistë kulturore Nr. 15Tiranë, Prishtinë, Shkup, 2018