Neo Rauch,

një Mjeshtër nga Leipzigu

Shtresat e kuptimësive që ndryhen brenda atmosferës sugjestionuese të veprave në pëlhurë të artistit Neo RAUCH (Neo Rrauh) përkujtojnë një nga formulimet provokuese të themeluesit të antropologjisë filozofike Max Scheler, (1874-1928), nga kryevepra e tij “Pozicioni i njeriut në kozmos”,botuar më 1927 : ”Njeriu është një “Faust i përjetshëm”, një bestia cupidissima rerum novarum, një qenie që kurrë nuk gjen qetësi e prehje në të Vërtetën që e përthekon, gjithnjë zhbirues, kufijtë e të qenurit tani-këtu-kështu të përthyej, i etshëm që realitetin në të cilin ai frymon ta transcedoj - e bashkë me të gjitha këto edhe të vërtetën ekzistuese përmbi vetëveten”.

Neo Rauch, brenda një pikture, në të gjitha rrafshet e ndërtimit kompozicional, sikur edhe në të gjitha dimensionet e rrezatimit përmbajtësor, vë në lojë elemente të filozofisë empiriste, ai i bënë një ndërhymje fuqisë së arsyes duke e psikologjizuar sikur në faktorët e brendshëm edhe ata nga jashtëbota, ai provon të determinoj ndjesitë; vepra e tij për aq sa shpalon mundësitë e potencialeve të arsyes dhe lirisë njerëzore, po aq është në gjendje t’i bëjë një përthymje të gjitha dispozitave të mundësive të frymës njerëzore, atë që Max Scheler e quante si “Akti i të ideuarit”,pra aftësinë që në konkretën të kundrohet e përgjithshmja, thënë ndryshe pra, atëherë kur e veçanta bënë të ngritet në një simbol objektiv që do të përfshinte të përgjithshmen.

“Në qoftë se një pikturë zbërthehet drejtëpërsëdrejti, atëherë kemi të bëjmë me një akt aksidental të artistit krijues”, citohej të ketë thënë Mjeshtri nga Leipzigu Neo Rauch me rastin e retrospektivës në vitin 2010.

Artisti vë në lojë elemente nga Pop-art, nga Surrealizmi, nga Socrealizmi. Kundruesi përballët me figura e pamje të cilat sikur vijnë nga sekuenca të pikturimit historistik, figura që rrijnë pezull të nxjerra nga propaganda e socrealizmit, figura nga Comicstirps, apo nga librat me përralla ruse. Figurat kanë rënë përtokë pavetëdije pranë pajtoneve,apo janë vënë në kacafytje me kapilar gjaku të trashë sa gypat e zjarrfikësve. Diçka shqetësuese pluskon nga ngjyrimet e heshtuna, pozat dramatike e ngjarjet e mistershme, diçka si sekuenca ankthesh në ëndërrat.

Pothuajse në të gjithë skenën e arteve pamore, në kuptimin global, pikturat e mbushuna me simbole të Neo Rauch kanë zgjuar interesim. E, më tepër se kudo, në Shtetet e Bashkuara;veçanërisht mbas ekspozitës së veprave të artistit në Metropolitan Museum of Modern Art në New York. Roberta Smith, kritikja e mirënjohur e arteve pamore i përkushton një shkrim në “New York Times”,përmes të cilit ajo ngre lartë nivelin artistik të veprës së mjeshtrit.

Neo Rauch është i lindur në Leipzig më 1960. Në biografinë e tij gjejmë faktin e hidhun tragjik se të dy prindërit i vdesin në një fatkeqësi hukurudhore në kohën sa Neo ishte foshnjë njëmuajshe. Ai rritet nga gjyshërit. Studimet në Shkollën e Lartë të Grafikës i fillon më 1981. Neo Rauch është nxënës-mjeshtër tek profesori dhe artisti Bernhard Heisig. Në DDR, Bernhard Heisig ishte një personalitet domethanës,(dhe kundërshtar i regjimit), i arteve

pamore i cili njihet edhe si themelues i asaj që quhet Shkolla e Leipzig-ut. I inspiruar nga Bernd Heisig, e parasëgjithash nga mësuesi tjetër i kësaj shkolle, Arno Rink, studenti Neo Rauch i kthehet me vetëdije të plotë të pikturuarit figurativ në një kohë kur në skenën e arteve pamore, sikur edhe në tregun e artit, dominonte të pikturuarit abstrakt.Emri i tij ndërlidhet me atë që sot njihet si Shkolla e Re e Leipcigut.

Ekspozitën e parë, më 1998, Neo e hapë në Leipcig. Ai ndërkohë punon asistent i profesorit Arno Rink dhe më vonë, më 2005 deri më 2009, merr përsipër profesurën për pikturë. Edhe sot Neo Rauch punon në atelienë e kahershme që gjendet në hapësirat e një fabrike të braktisur për përpunimin e mëndafshit. Ndonëse një artist i dimensioneve të përbotshme ai thoshte në hapje të retrospektivës më 2010 se “ këtu në Leipzig ndjehem mirë.Unë përpiqem që mundësisht të jem këtu, se këtu kur punoj dhe banoj ndjehem mirë,diçka më shumë nuk më duhet.”

Retrospektivën e madhe e cila ishte hapur njëkohësisht në Leipzig dhe në Pikankothek në München e kishin vizituar mbi 250.000 artdashës. Pjesa dërmuese e pikturave ishte nga koleksionet private. Muzeut të Arteve në Leipzig, Neo Rauch ia dhuron pikturën e tij “Nën zjarr”. Vetëm dy nga të gjitha pikturat e artistit janë në pronësi të muzeut-çmimet në tregun e artit për pikturën e mjeshtrit janë maramendëse. Për secilën pikturë të re, shënojnë statistikat,ekzistojnë mbi gjashtë mijë blerës potenciel.

Një retrospektivë tjetër do të tërheqë përsëri vizitorët e arteve pamore. Koleksionsti në zë Frieder Burda ekspozon në muzeun privat (F. Burda ka në pronësi punime,përveç aristëve tjerë, edhe ato të Sigmar Polkes dhe Gerhard Richterit) 40 punime të Neo Rauch.

E veçanta e kësaj retrospektive është se ndër veprat e ekspozuara gjendet edhe skulptura e parë e mjeshtrit nga Leipzigu. “Praparoja” është një figurë bronzi, gjysëm njeri, gjysëm mace, e në të dy duart, me supet paksa të kërrusura , bartë boca me benzinë.

Ekspozita është e hapur deri më 18.Shtator 2011