Kompleksiteti i estetikës së thjeshtëzuar
Një vështrim i shkurtër mbi krijimtarinë e shkrimtarit gjerman Bernhard Schlink
I.
Tendenca për të sjellë krijimtarinë letrare gjermane të viteve të nëntëdhjeta- vite këto kur Bernhard Schlink ngritët në rrafshin e autorëve më domethënës- nën një emërues të përbashkët është dëshmuar si e pashpresë. Përveç shumësisë tematike e stilistike, variacioneve në syzhetë dhe tekstualietin, gjatë këtyre viteve në skenën letrare gjermane shfaqen edhe një sërë strategjishë të të rrëfyerit si model letrar dhe, pa dyshim, duke u mbështetë në mendimin e filozofit dhe socilogut me renome Juergen Habermas, se për momentin bëhej fjalë për një paparashikueshmëri të radhës, prova për të definuar qartë një rrymë mbizotësuese në të krijuarit e artit letrar në hapësirën gjermanofolëse ka mbetë për shumëkënd brenda dimensionit nismëtar; pra si tendencë identifikimi.
Prirjet, ndërkaq, të zërave më domethënës në këto vite kanë gjetë vend dhe janë interpretuar nga kritika serioze brenda tri rrymave, pothuajse paralele në mundësitë e të rrëfyerit si model letrar. Në Pop-Letersia(Pop-Literatur), Mrekullia e zonjusheve (Fräuleinwunder) dhe Realizmi i ri (Neue Realismus). Megjithëatë, brenda këtyre rrymave, dominuese ka qenë prirja për t'iu kthyer strukturës narrative konvencionale, metodë kjo e cila që nga të depërtuarit në krijimtari të modelit postmodernist, shenjohej si një metodë tashmë e tejkaluar. Pra në vend të të fragmentarizmit dhe përthyerjes, autorët i rikthehen sistemit të kompleksitetit të estetikës së thjeshtësuar. Sistemi estetik i përmbyllun në vete, koherenca, lineariteti, shëndrrohen sërish në pika reference e të rrëfyerit artistik për autor të ndryshëm.
Është e kuptueshme tendenca e historianëve të letërsisë që ndryshimet epokale në fund të viteve të tetëdhjeta, me ç'rast u arrit ribashkimi i Gjermanisë më 1989, t'i inaugurojnë edhe si një epokë prurjesh të reja brenda krijimtarisë artistike. Megjithëatë,një analizë e kujdesshme e shikuar nga perspektiva të ndryshme socio-kulturore apo një pikëvështrim nga brenda i fenomenit të të krijuarit artistik ka vë në lëkundje këtë tendencë të historianëve të letërsisë dhe për këtë kanë qenë të një mendjeje emra domethënës brenda kulturës gjermane. Të përmendim tezën pothuajse provokuese të Klaus-Michael Bogdal se edhe pa ribashkimin e Gjermanisë krijuesit do të shkruanin pothuajse të njëjtat tekste që ne sot kemi në dorë.Ekziston një diskrepancë e qartë,
vazhdon K. Bogdal, në mes të domethënies historiko-politike dhe procesit të të përpunuarit kulturor e artistik.
Duke u mbështë në nuancimet më subtile dhe në nivelin e parëndomtë të kualitetit estetik, disa nga emrat më domethënës të letërsisë gjermane të viteve të nëntëdhjeta dhe të fillimit të dekadës së parë të shekullit të njëzet, kanë ndikuar që me prurjet e tyre letrare përveç shpalimit të strategjive të reja të të rrëfyerit, të dinamizojnë ritmin e brendshëm të letërsisë edhe përtej qëllimeve artistike.
Të tillë autore dhe autorë janë: Malin Schwerdtfeger (1972)Berlin, Doris Doerre (1955)Hannover, Benjamin von Stuckard-Barre(1975)Bremen, Judith Hermann (1970)Berlin, Jenny Erpenbeck (1967)Berlin, Feridun Zaimoglu (1964)i lindur në Bolu,Turqi, Bernhard Schlink(1944) Bielefeld.
Janë këto autore dhe këta autor të cilët permanent kanë zgjuar vëmendjen e kritikës dhe publikut, të cilët pa përjashtim, po aq sa në fushën e arrtitjeve letrare, një rol me rëndësi dhe një shenjë të veçantë dalluese kanë vënë edhe në dimensionet e tregut të librit. Sado që në brendësinë e krijimtarisë letrare të viteve të nëntëdhjetë gjejmë tema nga më të ndryshmet, modele e mustra të dallueshme me njëra tjetrën, kualiteti estetik i tyre ka mundësuar një lloj sintetizimi të strukturuar, duke i ngritë ato në vlera reprezentuese të krijimtarisë artistike. Aty është tematizuar dhe janë mbarështruar çështje të hulumtimit dhe gjetjes së identitetit të individit, të vetëpërcaktimit dhe të vetëpërkufizimit; dashuria dhe seksualiteti; takimi me të huajën; botërat mediale dhe simbolet kolektive nën specifikat e gjeneracioneve; përplasja dhe përballja e individit dhe kolektivit me të kalurën.
Një sërë veprash kanë trajtuar kompleksitetin e temës së kujtesës, ndeshjen dhe përpunimin shpirtëror të së kaluarës, sprovat në përballje me fajin e gjeneratës së prindërve, ku në të vërtetë, në qendër të vëmendjes është vendosur të kërkuarit e identitetit të individit.
II.
Bernhard Schlink, prozator dhe esesit, jurist dhe mësimdhënës universitar, (pamja e të cilit në disa momente fluide të të vështruarit të fytyrës së tij mund të të përkujtoj portretin e aristokratit francez të shek. të gjashtëmbëdhjetë, i njohur në histori si Kardinal de Richelieu, e i stolisur me nofkën " eminenca e kuqe"), vjen në letërsinë gjermane në fund të viteve të tetëdhjeta të shekullit të 20-të.
Në prozën dhe lirikën e viteve të tetëdhjeta shquhet loja e shpenguar me formën, syzhetë, stilet. Vetëdijsimi mbi fuqinë e gjuhës, rrokja mbas metodave të të rrëfyerit, posaqërisht forma e prozës së shkurtër është shenjë e këtyre viteve, e cila nga disa entuziastë ishte pagëzuar "letërsi për letërsinë". Është ky dhjetëvjeçari që ka dëftuar shenjat e para të ndërrimeve të gjeneratave dhe ku krijuesit e mbasluftës përgaditën truallin për ardhjen në skenë të autorëve tjerë.
Reprezentuesit më eminent të epokës së mbas luftës së dytë tashmë ishin ngritë në shkallë instance letrare; ata madje ia kishin dalë që brenda letërsisë së përbotshme të shëndrrohen në
përcaktues të dimensioneve të të krijuarit artistik: Hainrich Boell, Gunter Grass, Martin Walser, Hans-Magnus Eszenberger, Uwe Jonson, Peter Weiss, Thomas Bernhard,Wolfgang Koeppen.
Kishte qenë pothuajse e pamundshme për secilin të përfytyronte ato vite se këtij ansambli të shkëlqyer e të frikshëm në madhështinë e të krijuarit të artit letrar dhjetë vjet më pas do t'i bashkëngjitej prozatori dhe intelektuali Bernhard Schlink, i lindur me 1944 afër qytetit të Bielefeldit.
Veprën e parë artistike, romanin "Drejtësia e Selbit"(Selbs Justiz,Diogenes Verlag) B. Schlink e ka botuar më 1987, bashkë me Walter Popp. Është kjo vepra që i paraprinë "Trilogjisë së Selbit".Pra, "Drejtësia e Selbit"(1987), "Mashtrimi i Selbit"(1992), "Vrasja e Selbit"(2001).
Ka një ironi fine në titullin e kësaj trilogjie.Është një detaj i imtë,por që është element përbërës i sistemit krijues të B.Schlinkut.Pa dyshim, kritikët kanë vlerësuar me nota pozitive sistemin e të krijuarit tek B.Schlnik.Modeli i tij është një shenjë dalluese brenda modeleve të të rrëfyerit në prozën gjermane dhe më gjerë.Detaji që e përmendëm më lartë ka të bëjë me fjalën "Selb"-si emër, dhe me fjalën"Selbst" si përemër.E,"selbst" nënkupton "unë vetë".Pra titujt e të tri romaneve të shtjelluara simbas koreografisë letrare detektuese,policeske, do të mund të lakoheshin në " drejtësia, mashtrimi, vrasja ime (nga unë vetë)". Detektivi privat Gerhard Selb,68 vjeç, duke ndjekur gjurmët e krimeve në shtresa të ndryshme të shoqërisë, konfrontohet drejtëpërdrejtë me të kaluarën e vet. Ai ka qenë prokuror në kohën e sundimit të ideologjisë nacional-socialiste.Kritika kishte vlerësuar romanin e B.Schlinkut në bashkëpunim me Walter Popp me fjalët:" në figurën e Gerhard Selbit dy autorët ia kanë dalë të realizojnë një figurë të besueshme, dhe ndonëse e mbështjellë nën kontradikta me vetëveten, nga perspektiva e figurës ngritet një rrëfim kritik mbi ngjarjet kriminale brenda shoqërisë."
"Nyja gordiane" është romani i radhës i B.Schlinkut, i botuar më 1988, tek botuesi zviceran Diogenes në Zurih.Libri ka 270 faqe.Kryeprotagonisti Georg Polger në kërkim të realizimit të vetëvetes braktisë zyrën e vet të avokaturës në Karlsruhe dhe vendoset në jug të Francës.Ai ka synim t'i përkushtohet pasionit të përkthyesit.Në fillim ai mezi ia del të mbijetoj.Përmes filleve të rastësishme që sjell jeta në lëvizje ai ia del të ngritet në pronar të një studioje përkthyesish.Sektori special: plane konstruktuese për helikopter luftarak.Ndërkohë ai pa e imagjinuar ndonjëherë bie në shtjellën e disa ngjarjeve në të cilat është vështirë të dallohen miqtë nga armiqtë.Shërbimet e fshehta nga shtete të lindjes kanë zgjatë rrembat deri në studion e përkthimit, pronar i së cilës është Georg Polger. Përmes dashnorës së tij, Franziskës me origjinë polake, një kohë banore e New York-ut, pjesëtar të këtyre shërbimeve arrijnë të filmojnë materialet e konstruktimit të helikopterëve luftarak.Franciska është vënë nën presion të dyfishtë ngaqë ajo ka babain dhe vëllain të dënuar për qëndrime politike në Poloni.Shërbimet e fshehta i kanë premtuar t'ia lirojnë vëllain nga burgu në qoftë se ajo do të bashkëpunonte.Georg zbulon veprimin e dyshimtë të dashnorës, e njëkohësisht bashkëpunëtorës së tij, ngaqë Franciska është përkthyese prej kohësh në Francë, dhe kur kupton thelbin e çështjes ai ndërmerr kryenëveti një kundërgoditje.Pretendon ta zbuloj çështjen tek ministria e brendshme franceze.E gjithë kjo i kushton atij me humbjen nga faqja e dheut të dashnorës së tij e cila ndërkohë është shëndrruar në të dashurën e tij.Përveç kësaj Georg humbë gradualisht të gjitha porositë e klientëve për të përkthyer edhe më tutje në studion e tij.Ai vendosë të bëjë bilanc përfundimtar dhe braktisë jugun e Francës.Përmes aeroportit të Brukselit ai fluturon për në Shetet e Bashkuara, atje ku ai beson se do ta gjej të dashurëne tij Franciskën. Në mbrapaskenën e një fotografie të Franciskës, një mik i Georgit nga një qytet
gjerman që i ka ardhë atij në vizitë në ato ditë të vështira, dëfton dhe veçon qartë nga kujtesa Katedralën Curch of St. John the Divine. Kjo mund të ishte një pikë referenciale për Georgin në kërkim të Franciskës.Aty ai fillon të kërkuarit e një femre krejt anonime(perveç se ajo kishte qenë në një shkollë aktrimi) në midis të qytetit milionësh të New Yorkut. (...)
Një nga romanet më të sukseshme të letërsisë në hapësirën gjermanofolëse të viteve të nëntëdhjeta është "Leximtari".(Der Vorleser,Diogenes Verlag,Zurich,1995)
Në të vërtetë, ky roman, ka tejkaluar edhe vetë autorin.
Për arsye të perspektivës së parëndomtë të të rrëfyerit,pasazhet me një reflektim të thellë poetik, tematizimit të ngjarjeve historike përmes metodës së kompleksitetit të një estetike të thjeshtëzuar, Bernhard Schlink edhe pesëmbëdhjetë vjet mbas botimit të "Leximtarit" në opinionin e gjerë, brenda dhe jashtë Gjermanisë identifikohet si "Schlinku-autori i Leximtarit",duke lënë pothuajse gjithnjë nën hije publikimet tjera të autorit.Brenda vitit të parë të botimit romani ka pasur një shitje prej shtatëqind mijë ekzemplarësh. Romani ka qenë për një kohë të gjatë ne bestseller-listen e New York Times. Në shkallë ndërkombëtare i është dhënë publicitet po aq sa një kohë i ishte dhënë "Daullës së llamarintë" të Gunter Grassit.
Duke u mbështetë në tërë kompleksitetin që kjo vepër ndryen brenda, ajo ka qenë dhe mbetet objekt diskutimi e shqyrtimi në rrethet letrare, filozofike, etike e historike.
Është lekturë shkollore në klasat e larta të gjimnazit dhe një nga librat e preferuar për studentët e jurisprudencës.
Në fillim ngjarja vendoset në vitet e 50-ta. Pesëmbëdhjetë vjeçari Michael Berg,kryeprotagonisti i veprës, takon konduktoren tridhjetë e gjashtë vjeçare e cila përkujdeset për të në një çast të ligështimit të tij.Michael është i goditur nga sëmundja e verdhëzës.Më kalimin e sëmundjes gjimnazisti i bënë vizitë Hanna Schmitz-it dhe dashurohet në të. Zë fill një marrëdhënie dashurore e parëndomtë.Është një lloj rituali që brenda ndryen dimensione shqisore dhe shpirtërore.Michaeli,para se të filloj loja e dashurisë, duhet t’i lexoj Hannas fragmente romanesh dhe tregimesh nga letërsia klasike. Një ditë Hana zhduket. Vite më vonë kur Mihaeli tashmë është student i drejtësisë dhe asiston në një proces gjyqësor kundër krimbërësve në Luftën e Dytë, ai takon përsëri Hana Shmicin. Hana ka qenë gardiane në kampin famëkeq të asgjësimit të hebrenjëve, në Auschwitz. Hana akuzohet se ajo si gardiane kishte lejuar që të burgosurit e mbyllur në një kishë të gjejnë vdekjen nga zjarri. Mihaeli përcjell procesin kundër të dashurës së tij dhe atij i shpalohet e qartë një fshehtësi nga jeta e Hanas; ajo nuk din shkrim-lexim. Ajo ka mbajtë fshehtë analfabetizmin e vet gjatë gjithë jetës. Hana dënohet me burgim të përjetshëm.Kanë kaluar disa vite.Mishaeli është martuar.Ka një vajzë. Shkurorëzohet. Kontaktet me Hanan ai i ka mbajtë duke i dërguar asaj kaseta në të cilat ai ka vazhduar të lexojë librat për të. Një ditë para se të lirohet nga burgu ajo ka bërë vetëvrasje.
Libri me tregime "Ikje dashurishë" i B. Schlinkut, i botuar në vitin 2000, i ka dhënë vulë modelit letrar schlinkian.
Martin Luedke shkruan në Die Zeit,Hamburg se " sikurse edhe tek Leximtari, autori ia del edhe me këtë libër të arrijë po atë ndikim i cili esencialisht qoi në suksesin e padiskutueshëm. Libri zgjon mbresa të një autenciteti të veçantë."
Libri përbëhet nga shtatë tregime që nuk janë të ndara në cikle.
Tregimi i parë "Vajza me hardhucën" tematizon, ashtu sikurse edhe "Leximtari" përplasjet e gjeneratës të lindur mbas Luftës së dytë me gjeneratën e prindërve.Ajo është gjenerata e cila ka sjellë në pushtet dhe ka ushqyer një nga regjimet më të mnershme që ndonjëherë kanë sunduar gjatë historisë mijëvjeçare të njerëzimit.
Në qendër të ngjarjes është një pikturë që paraqet një vajzë duke vështruar e menduar pranë një hardhuce.Figura kryesore e rrëfimit është një djalosh i cili ndjen të fascinohet nga ajo pikturë qysh herët në fëmijëri; me kalimin e kohës figura e vajzës i zgjon atij ndjesitë e para shqisore dhe pasionin për femrat. Nëna e tij ndërkaq, për habi, gjithnjë mbanë një qëndrim të parëndomtë kundruall pikturës.
Rrjedha e ngjarjes është e shtresuar me rafinesë dhe ndryen brenda disa aspekte.Rrëfehet adoleshenca e protagonistit, raportet e tij me prindërit dhe përvojat e tij në dashuri.Gjithashtu i ati i protagonistit ka një lloj qëndrimi të dyshimtë ndaj pikturës.Ai e mban pikturën të mbyllun në studion e tij.Në momente grindjeje të prindërve,kryeprotagonisti dëgjon të ëmën të thot për Vajzën me hardhucë ajo" vajza jude ".Më vonë kur protagonisti zë të studioj jurisprudencën ia fillon hulumtimit për të ndriçuar historinë e piktorit (fiktiv) ebre me emrin Rene Dalman sikurse edhe historinë e ngritjes së pikturës,ku e gjitha ndërlidhet me fatin e të atit të protagonistit.
Tregimi është i ngritur përmes të rrëfyerit heterodiegjetik.Ngaqë tregimi përfshin një hark të gjatë kohor, ritmi i të rrëfyerit varion përmes pasazheve të nxitueshme dhe eklipsimeve të herëpashershme në njërën anë dhe dialogjeve e skenave të shtruara në anën tjetër.
Shtëpia botuese Diogenes nga Zurihu ka botuar në vitin 2006 romanin e Schlinkut “Kthimi”.Libri është një odise e gjatë e rikthimit te rrënjët e un-it.Në paraskenë shpalohet historia e Peter Debauer, i cili rrëfen në vetën e parë. Në fëmijëri, Peter kalon pushimet te gjyshërit e tij zviceranë. Gjyshërit janë të zënë me redaktimin e manuskriptave dhe romaneve triviale. Ata i afrojnë djaloshit disa prej këtyre romaneve duke ia tërheqë vëmendjen se ai mund të shkarraviste në faqet e pashkruara, me kushtin që ai të mos lexonte faqet e shkruara. Kërshëria e djaloshit mbizotëron arsyen dhe ai fillon të lexojë historinë e një ushtari gjerman që ia ka dalë të ikën nga të zënit rob. Ushtari kthehet në shtëpi. Gruaja ia hapë portën.Pranë gruas një burrë tjetër. E fëmija në krahët e gruas?...Ai (...) se çfarë ndodhë më tutje Peter nuk mund ta marrë vesh. Narratorin e kësaj historie, Peter Debauer, i cili në kohën e studimeve rikujton këtë histori, e djeg dëshira të kuptojë fundin e historisë së ushtarit gjerman që kthehet në vendëlindje. Kjo dëshirë i shëndrrohet në obsesion. Ai i vë vetes detyrën të hulumtojë dhe të gjejë autorin e rrëfimit. Mirëpo, autori i atij rrëfimi ka qenë një njeri që përherë ka ndërruar identitetin. Ai autor gjithnjë ka filluar nga e para. Ka shlyer me themel gjurmët e jetës së mëparshme.Një rrjedhë jetësore tipike e shekullit të njëzet, e përthurun dendur me të kaluarën gjermane.Kërkimi i Personazhit,pra i Peter Debauer, i rrëfyer në ich-form, shëndrrohet në një odise, në një gjakim për të gërmuar në vazhgën e prejardhjes së vet, sikurse edhe të kërkuarit e rrënjëve të femrës të cilën ai e dashuron. Një odise, një udhëtim brenda vetëvetës. Një sprovë për të shpaluar thellësitë e identitetit.
Një monument i bukur e plot kundërthënie. Kjo është sintagma që mund ta shoqëroj gjatë viteve në vijim romanin “Fundjava” të Bernhard Schlinkut, i botuar në vitin 2008.
“Fundjava” është një prozë e bukur, e përshkuar nga një strukturim narrativ estetiko-eseistik e cila pretendon të shëndrrohet në një monument diskutimi shumështresor mbi ngjarjet tragjike të viteve të shtatëdhjeta kur Republikën Federale të Gjermanisë e kishte zënë ngërçi në përballje me fraksionet e armatës së kuqe(RAF), ngjarje këto nga më tronditëset mbas Luftës së Dytë.
E gjithë struktura narrative në romanin “Fundjava” është e ndërtuar simbas metodës së konstruimit estetik me një notë të sforcuar të të kompozuarit gjeometrik të tekstit, intertekstit, ideotekstit. Duke bërë një kapërcim të shkurtër, një urëzim të nxitueshëm mes arteve, gjatë leximit të romanit “Fundjava” mund të na shfaqen asociacione të Op-Artit, një stil ky i arteve pamore i shpikur nga Viktor Vasarely. Në veprën në pëlhurë të piktorit Vasarely mbizotëron kryekëput forma e “të integruarit arkitektonik”, mbështetur në njësinë plastike të një moduli të
rreptë gjeometrik.
Autori ka patur synim,dhe kjo dëftohet kaq qartë, që perceptuesin e dytë ta tërheqë në rrafshin e të medituarit, të përsiaturit, të sugjestionimit të drejtëpërdrejtë mbi një ngjarje, mbi një epokë,mbi një ide, mbi një fenomen. Ka qenë ky njëri nga elementët kryesor që romanin “Fundjava” një pjesë e kritikës e ka pritë me tone tejet të zymta; romanin e përshkon thellë në substancë pedantëria e matur me gram; dëftohen konture të drejtëpeshuara deri në tepri; prozën artistike e përshkon fund e krye diskursi eseistik, etj.,etj.
Diskutimi mbi vlerësimet kritike të teksteve letrare, shkruan Stefan Neuehaus,reflekton shumësinë e diskutimeve shkencore deri në hollësirat e fundit.Në të gjithë materien e shqyrtimeve mbi letërsinë gjermanofolëse që nga shek., i 17-të, njeriu e ka shumë të vështirë ta gjej gurin e urtësisë.
Michael Kluger nga Frankfurter Neue Presse ka shkruar se “ pa dyshim, romani Fundjava është një prozë e bukur me një qartësi të pakrahasueshme.Ky libër përmban të gjithë atë lëndën konfliktuoze të diskutimeve në opinion për Ditët e Terrorit, lëndë kjo e cila ende nuk është përtypur në tërësi.”
Reagime të ngjashme tek kritika kishte ngritur edhe Cikli i Pikturave të Gerhard Richter-it 18.Tetor 1977. Deri sa G. Richter ka zënë momente të një metafizike të ngrirë në të pesëmbëdhjetë pikturat e Ciklit, Bernhard Schlink i është qasur tematikës nga perspektiva rotative e shtruarjes dhe shtjellimit të të rrëfyerit artistik mbi një epokë të caktuar.
Mbas njëzet vjetësh prapa grilave kryeprotagonisti(figurë pothuajse pasive në roman) është amnistuar papritmas nga Presidenti i Republikës Federale.Kristiana, e motra e tij, dëshiron që fundjavën e parë (dhe mbase të mbramën e llojit të tillë) ta kalojë bashkë me të vëllain e të shoqëruar nga një duzinë miqësh të kahershëm, në një vilë në periferi, pa prezencën e kamerave dhe të reporterëve. Secili prej të pranishmëve në atë takim, në një formë a tjetrën, kanë qenë simpatizantë apo të lidhur me revolucionin e fraksionit të armatës së kuqe (RAF). Sot, ata, kanë zënë vend dhe janë etabluar shkëlqyeshëm brenda shoqërisë, duke u ngrtië në pozicionin e gazetarit, avokatit, peshkopit, ndërmarrësit. Ata vijnë atë fundjavë të shtyrë nga nostalgjia,lojaliteti apo kërshëria. Ata dëshirojnë të shpërndajnë këshilla por të ruajnë distancë. Mirëpo asnjëri prej tyre nuk mund t’i shmanget të konfontuarit me biografinë e vet, me projeksionet që kanë mbizotëruar dikur jetën, idealet dhe iluzionet e tyre.
Qysh në krye të rreshtave për Fundajavën huazuam një titull nga një trajtesë e filozofit Ulrich Richter.Një monument i bukur plot me kundërthënie.Pra, duke u mbështetë në teoretizimet e këtij filozofi, romani “Fundjava” sendërtohet përmes një strategjie të të dikutuarit racional.Në qendër të këtij romani nuk është figura dhe fati i tij-dhe ky është një dikurs përjashtues deri më tani në prozën e Schlinkut-në qendër të vëmendjes është dialektika mbi idetë, politikën, estetikën.
Në brendësi të të gjithave është individi, është un-i i mbetur pezull, i ndrydhun në mes realitetesh politike e estetike.
Artisti B. Schlink, në këtë roman i ka lëshuar vend edhe eseistit të shquar që ndryhet brenda tij, edhe filozofit,juristit e moralistit.Prandaj dhe kjo vepër letrare rezulton të jetë një monument i bukur i mbështjellë plot me kundërthënie.
Relacioni i parë tek “Fundjava” ndërtohet në mes të individit dhe estetikës: lexuesi real.
Relacioni i dytë ndërtohet në mes të individit dhe politikës: figurat,fiksioni,idetë brenda librit.
Relacioni i tretë ndërtohet në mes të estetikës dhe politikës: prezenca e procesit krijues dhe të gjykuarit e krijuesit mbi fenomene të caktuara.
“Fundjava”, ndonëse plot kundërthënie është, megjithëatë, një vepër,një monument artistik i bukur.
“Nuk ka dyshim se letërsia bashkëkohore gjermane ekziston dhe mbështetet në përballje të
hapura me shumësinë e skenës letrare; forma e jetës së saj është plurariteti “i parregulltë”- dhe kjo është mirë kështu”(Wolfgang Emerich).
Një shoqëri pa kujtesë për sociologun Theodor W. Adorno do të ngajnte me një “pamje tmerri”.Në vitet e 90-ta,pothuajse nuk ka kaluar asnjë vit që në dikursin eseistik dhe atë artistik të mos jetë debatuar mbi fenomenin e të përkujtuarit të së kaluarës.
Një kontribut të veçantë, shumë domethënës, brenda diskutimeve të panumërta ka dhënë edhe shkrimtari dhe intelektuali Bernhard Schlink.
Literatura:
Deutsche Literatur Geshichte, Metzler Verlag,2001
Christian Döring, “Etwas das zählt”,Deutsche Literatur der Achtziger Jahre.
Hegels Ästhetik. Die Kunst der Politik-Die Politik der Kunst. Akademie Verlag 1999
Richard W. Gassen, Wasarely, Erfinder der Op-Art,Verlag Gerd Hatje
Dietmar Elger, Gerhard Richter, Maler.
Stefan Neuehaus,Literaturkritik.
Georg Mein, Erzählungen der Gegenwart.
Bernhard Schlink, veprat në prozë artistike dhe atë eseistike.
Avni Alija
Botuar në:
JETA E RE
Revistë Letrare, Nr 1, Viti LXIPrishtinë 2010