Robert Musil
Letërngjitësi i mizave
Letërngjitësi i mizave
Tregim,1914
Një rilexim dhe riinterpretim në një kontekst socio-kulturor
Letërngjitësi i mizave Tanglo-foot është përafërsisht njëzet e gjashtë centimetra i gjatë dhe njëzet e një centimeter i gjerë; është i lyer me një lloj zamke të helmosur me ngjyrë të verdhë dhe vjen nga Kanada. Kur një mizë bie në të- jo aq nga lakmia, më tepër nga Konvencioni, ngaqë shumë të tjera tashmë kanë rënë në të- ajo ngjitët piksëpari përmes rrembave më të skajshëm, të lakuar, të nyjeve të të gjitha këmbëve. Një ndjesi e shurdhët, e panjohur, sikur ne të kemi shkelur me thembrat lakuriq mbi diçka, i cili nuk ngjan me tjetër përveç se me një diçka të butë, të vakët, një përplasje me të pazbërthyeshmën, një diçka në të cilin më pas zë të zhbiroj tmerrësia që i vjen era njeri, diçka që mund të jap shenjat e një dore njeriu, e cila aty diku ka qëndruar shtrirë dhe neve na pllakosë me të pesë gishtat gjithnjë e më shtërngueshëm.
Ato më pastaj mbeten aty të ngjitura gatitu, si tabikë, të cilët sikur nuk duan t'i vënë veshin kujt, apo si ushtarakë të dërmuar ( dhe me o-në e këmbëve një trohë ata duken sikur qëndrojnë maje kreshtave të mprehta). Japin gjithë ç'kanë nga vetja e mbledhin forcë dhe mendim në të qëndruarit e paepshëm. Mbas pak sekondave ato rimarrin veten dhe këmbëngulin, me gjithë çfarë munden, të zukatin dhe bëjnë të shkëputen.Atë veprim prej të zemëruari ato e vijojnë aq gjatë deri sa stërlodhja i detyron të heqin dorë. Pason një pauzë frymëmarrjeje për t'iu qasur sërish provës së radhës. Por, intervalet zënë të rrallohen. Ato qëndrojnë aty, dhe unë e ndjej se ç'huti i ka zënë. Së poshtmi këmbëve të tyre ngjiten avuj çorientues. Sikur një çekan miniaturial gjuha e tyre hidhet në testim. Koka e tyre është e murrme dhe e leshtë, si e bërë nga një arrë kokosi; përgjason me idolet e skalitura nga modelet afrikanë.Ato nisin të lakohen para e mbrapa mbi këmbët e tyre të gëlltitura, gërmucen mbi gjunjë e turren prapë të ngritën, sikur njerëzit kur përpiqen ta ngrisin një barrë të rëndë; më tragjike se mundi i punëtorit, madje shprehje e një shtërngimi më të theksueshëm se sa tek fytyra e Laokoonit. Dhe më pas ia beh ai çasti i rrallë,ku nevoja për të zotëruar një sekondë paqeje mbizotëron gjithë atë ndjesinë e përhershme e të qenit në botë. Është çasti kur një alpinist për shkak të një dhmbjeje të padurueshme në gisht, çmbërthen vegëzën në të cilën mbahet, kur një i humbur shtrihet në borë si fëmiu e nuk di më tutje, çasti kur i arratisuri me ije të bëra vazhgë ndal vrapin. Ato nuk provojnë të qëndrojnë mbi zamkën e helmosur me të gjithë forcën, ato lëshohen pak poshtë dhe atë çast ngjajnë krejt me njeriun. Menjëherë do të kapërthehen dikund në gjunjët, në pjesën e mbrapme të trupit apo në skajet e fundme të flatrave.
Në qoftë se ato ia kanë dalë të kenë tejkaluar rraskapitjen shpirtërore
dhe mbas një copë kohe të shkurtër rifillojnë luftën për jetën e vet, ato tashmë kanë rënë dhe janë fiksuar në një gjendje të parrugëdalje, dhe lëvritjet e tyre përftojnë një nuancë të panatyrshme. Rrijnë gjysëm të shtrira me këmbët e zgjatura, mbështetë në bërryla, dhe prapë marrin zorin të ngritën. Apo qëndrojnë mbi truall, si të drunjosura, me krahë të shtrirë, si gratë, të cilat kotsëkoti mundohen ta ruajnë fytyrën nga grushtat e një mashkulli. Ase ato kanë rënë të shtrira në bark, me kokën dhe krahët përpara, si të rrëzuara në vrap e sipër, dhe mbajnë fytyrën me zor të ngritur lartë. Porse armiku i tyre del ngadhënjimtar mbi to pikërisht me pasivitetin e vet dhe gjithnjë përfiton nga dëshprimi dhe hutia e tyre. Një hiq, diçka i paqenë, gëlltitë ato. Aq prajshëm, sa që më pas bëhet e pamundshme ta përcjellësh atë gëlltitje nga hiqi, e nëse diçka mund të dëftosh, ajo është lëvritja e fundme, atëherë kur ia ka mbërri thyerja e mbramë mbi to. Ato bijnë papritmas, me fytyrë për toke, përtej këmbëve të tyre; apo mbraptohen përanash, me këmbët të shpërndame nga trupi; apo mbraptohen përanash me këmbët të hedhura përpara sikur një gjest lundërtarësh. Ato janë shtrirë kështu aty. Si aeroplanë të rrëzuar, të cilët të ngulitur në një copë krahu mbeten pezull në ajër. Apo si kuaj të ngordhun. Si një gjest i një dëshpërimi të pafund.Si të flashkërta. Në ditën tjetër ndonjëra prej tyre rizgjohet, prek një copë kohe me këmbë përreth saj apo zë të zukatë plogësht. Nganjëherë shenja të këtilla mund të hetohen nëpër gjithë fushnajën ku ato kanë rënë, e më pas ato kanë sharruar të gjitha edhe më thellë brenda vdekjes. Vetëm në një pjesë anësore të trupit të tyre, aty afër përngjitjes së këmbëve për barku, ato kanë një organ i cili ende jep shenja jete edhe për një kohë të gjatë. Hapet dhe mbyllet, mund ta vëresh vetëm përmes një xhami smadhues, duket të ketë ngjashmëri me një sy njeriu, i cili pambarim hapet dhe mbyllet.
Dëshira për të rilexuar dhe riinterpretuar një tekst artistik brenda një konteksti socio-kulturor i ngjanë një utopie anemike. Nga cila pikë e një metaperspektive do të mund të venerohej teksti? Si të shtrydhen refleksione intertekstuale dhe a mund të përligjet një riinterpretim i një teksti artistik i nxitur nga ideja për të formuluar një ritekst me synime jashtëletrare? Një ritekst i tillë, si një destilat pothuajse pa esencë të vetën, mbase ngjanë me rënien në një zamkë të helmosur-jo nga lakmia por më tepër nga Konvencioni.
Tregimi-parabolë i Robert Musil-it Letërngjitësi i mizave shtron kërkesën ultimative e të nxjerrurit të tekstit artistik nga besueshmëria historike, në qoftë se perceptuesi i dytë nëpër kohë e hapësirë tjetër ka për synim aktin e të vrojtuarit përmes elementeve të një diskursi eseistik socio-kulturor. Një kërkesë të tillë ultimative ka shtruar gjithherën tërësia e veprës së gjeniut Franz Kafka.
Një vrojtim fillestar dhe i mbështetur në të vlerësuarit subjektiv mbi Letërtngjitësi i mizave përkufizon mendimin se tregimi-parabolë i R.Musil-it provon të definoj aktin e fundit të koreografisë së llojit. Kryqin final në biometrikën e llojit brenda botës së materies. Prapa këtij akti final, pra atë të rënies në zamkën e helmosur, dëftohet prania e një regjie enigmatike. Ky regjisor shtrinë pushtetin e vdekjes në rrafshin e Matrix-it të jetës dhe frymëmarrja e tij ndjehet në praninë e një Konvencioni-konvencion i cili shtynë llojin të bie në "dërrasën e vdekjes."
Pushteti i Konvencionit,gjithsesi, shtrihet përtej çdo konteksti jetësor e socio-kulturor, përshkon të gjitha rrafshet e ekzistencës, është pothuajse qendra centrifugale e të qenurit. Dhe i rikthyer në një kriter socio-kulturor Konvencioni provon të ngjitet në një instancë paragjykuese që tendencë parësore ka të gëlltiturit me diskrecion të të gjitha elementeve që individi ia ka vetëpërcaktuar identitetit dhe integritetit personal.
Ngjitja dhe bashkëngjitja e individit një platforme e cilës do natyre qoftë ajo, ndryen në vete një ambivalencë rraskapitëse. Jemi në zonën e poetikës së trishtuar të Konvencionit.
Tregimin e përshkon një dendësim mpirës në të vrojtuarit singular. Një vibrim i heshtun e ndrydhës ndjek linearitetin e të rrëfyerit.
Robert Musil, i lindur më 1880 në Klagenfurt, autor i romanit me 2000 faqe "Njeriu pa principe", vepër kjo që nga kritika është vlerësuar si pandam i "Ulysses" të James Joyce-it, përmes tregimit-parabolë Letërngjitësi i mizave vërteton mendimin e bluar aq dendur se arti ka fuqinë e të rrokurit të fenomeneve anësore në njërën anë sikur edhe të shpërfaqë thelbin e të qenurit në botë; e, gjithashtu, arti dhe artisti vështruar nga secila perspektivë kanë qenë përherë bashkëpjesëmarrës në regjinë enigmatike të Matrix-it në rrafshin e jetës dhe në koreografinë e aktit final.
Nga lakmia apo ngase,dhe mbase kështu e ka kërkuar Konvencioni.
(Përkthimi dhe interpretimi: Avni Alija)
“Lajm”
Prishtinë, 2010